Nëse do të besojmë tek shprehja se edhe futbolli ka perëndinë e saj, e cila mund të vonojë, por nuk harron, atëherë le ta dëgjojmë këtë anektodë. Radhë e madhe në kishën e futbollit për të rrëfyer mëkatet që po i bëhen lojës me top, e cila për nga dashuria mbarëpopullore quhet edhe “loja me zemrën”. Prifti i dëgjonte me radhë mëkatarët dhe i falte duke u thënë fjalët: “ Je i falur nga Zoti, nëse topin nuk e tradhëton më”. Mëkatarët kur dëgjonin këto fjalë shprese,ulnin kokën , derdhnin lotë pendese dhe largoheshin. Kur erdhi radha e shqiptarit, prifti dëgjoi deri në në lodhje gjithë historinë e mëkateve tona në lojën me top, uli kokën, lotoi dhe iku, pa dëgjuar fjalët që i thamë pas kurrizit: “Je i falur nga Zoti, edhe ti.. o prift”. Dikur krenoheshim që ishim të vetmit që nuk besonim në kisha dhe xhamia, tani krenohemi për futbollin që nuk ka nevojë për besim, madje as për dëshmitarë në stadium,duke predikuar moral tjeter, nga ai që mund të shndërohesh dhe në hero, siç aktruam mrekullisht gjatë katapultimit për në token franceze. Një skenë që çarmatosi edhe ndërgjegjen, kur për fatin e mirë dhe të keq bashkë, kombëtarja u zbukurua në atë mënyrë gjatë finaleve, sa besuam se Europiani i madh nuk mund të luhej pa Shqipërinë e vogël..
Kemi vite që investojmë tek modeli që na gënjen bukur, ndaj edhe kur kthehemi në tokën e futbollit tonë, në garën e kampionatit, dueli i madh nuk ndizet mes ekipeve, por midis të vërtetës dhe të pa vërtetës, midis nderit dhe turpit. Kukësi, Skënderbeu dhe Partizani , tre pretendentët, po aplikojnë skemën me shumë akuza dhe dyshime. Më shumë po luajnë me dosjet famëkeqe, sesa me topin për të cilin janë krijuar . Goja e kampionatit po bëhet e frikshme, sidomos kur rivalët demaskojnë pa dorashka, aq sa mund të quhemi me fat që UEFA ,e cila qahet se nuk ka prova telefonike për bëmat tona,ose mbyll veshët, ose bën sikur s’ dëgjon, kur në mes të ditës, edhe vetë presidentët i mburren njëri- tjetrin për marrje me qera të arbitrave. Atyre që kanë shkëlqyer në këtë sezon me vendimet e tyre “angleze”, meqë kur ulen në klasë kanë mësues anglez, veç kur dalin në fushë..kanë mësues pedant shqiptar. Dhe, ajo që vërtetoi vdekjen e tyre morale , ishte kur një trajner i pagëzoi “bastard” kolegun e tyre dhe shoqata e arbitrave, u ndje aq e përdhjerrë në mbijetesen e saj, sa edhe një deklaratë të shtirur nuk e sajoi dot. Vetëm nga zyrat , atje ku rrinë dronët që kontrollojnë lojën, por edhe gojën e akuzës që nuk mbyllet , kishin thënë: “ Menaxhoni sharrjet.. se mos na ngjiten këtej. Tifozët le të shfryhen duke sharrë motrat, trajnerët le të shkojnë edhe përtej bastardit..”
Gëzim Sinemati
(Botuar në gazetën Panorama Sport)