Çelsi fitoi 3-1 ndeshjen e radhës në Premier Ligë, atë ndaj Suonsit, dhe u shkëput 11 pikë nga ndjekësit në krye të renditjes, distancë që mbetet e tillë për momentin përpara sesa të luajnë rivalët. Gjithsesi, ndryshe nga sa tregon së jashtmi rezultati, përballja ishte një vuajtje e madhe për Antonio Konten në stol. Trajneri i bluve, me siguri, duhet të ketë dashur të përqafojë më përpara dhe më fort portierin kundërshtar Lukas Fabianski, që gaboi fatalisht në golin e dytë të Çelsit, moment që normalisht siguroi edhe fitoren në “Stemford Brixh”.
Me rezultatin 1-1, në minutën e 72-të ishte Pedro që gjuajti drejt portës mike, dhe Fabianski në një farë mënyre e dërgoi topin në rrjetën e tij. Me avantazhin në xhep, londinezët larguan presionin dhe Diego Kosta shënoi golin e tretë në minutën e 84-ët.
Konte duhet të ketë dashur të përqafojë edhe arbitrin e ndeshjes, Nill Suobrik, i cili i bëri një dhuratë Çelsit në minutën e 69-të duke mos dhënë penallti për Suonsin. Fernando Jorente lëshoi një top në zonë dhe Azpilikueta e preku me krahun e tij duke i ndërruar drejtimin. Gjyqtari e quajti kontakt të pavullnetshëm.
Ndeshja nisi mirë për vendasit që shënuan me anë të Sesk Fabregasit në 19’, por Jorente barazoi në 45’. Në pjesën e dytë u deshën arbitri dhe Fabianski që të ndihmonin blutë e Kontes, që gjithsesi po i afrohen gjithnjë e më shumë si fitues finishit të kampionatit anglez. Çelsi ka 63 pikë kur duhen edhe 12 ndeshje deri në përfundim të Premier Ligës, dhe Man. Siti ka 52 me një ndeshje më pak.
Sfidanti.al