Papritur ka hyrë në një tunel pa dalje një nga skuadrat më të mira në Itali. Napoli, në radhët e së cilit po luan sërish rregullisht Elseid Hysaj, pësoi një disfatë që mund të ketë pasoja të rënda. E mundi një rivale e pamenduar në konkurrencën për kualifikim në Ligën e Kampionëve, Atalanta nga Bergamo.
Pavarësisht përpjekjeve, Hysaj e humbi duelin me shokun e tij në kombëtare, Etrit Berisha. Portieri i Atalantës bëri pritjet e tij, ndërsa tri pikët super të rëndësishme erdhën nga dy golat e Matia Kaldarës. Humbja e të besuarve të trajnerit Sarri tregoi qartë kufinjtë që ka ky Napoli. Pavarësisht nxitjeve të Maradonës, mungesa e alternativave bëri që nënkampionët e Italisë të hynin në krizë sapo filloi ngjeshja e kalendarit.
Siç thotë populli, “dy kunguj nën një sqetull nuk mbahen”. Në një krah përballja masive me Realin në Champions, në tjetrën beteja e ashpër për të siguruar sërish Championsin sezonin e ardhshëm nga Seria A. Humbja bëri që Napoli të mbetet në 54 pikë në vendin e tretë, dy më pak se Roma, veçse Atalanta është vetëm tri pikë larg, për të mos folur për Interin që tashmë është një rival i frikshëm.
Sfidanti.al