Pak ditë më parë e bëri Henrik Mkitarian për Mançester Junajtidin, tani ishte radha e Olivie Zhirusë. Nuk janë as Mesi, as Ronaldo dhe as Nejmar, por janë gjithsesi artistë të topit,. Golat e tyre ishin me goditje me thembër nga pas shpinës, në zhargonin e futbollit “goditje të akrepit”. Arsen Venger nuk ngurroi ta quante veprimin e sulmuesit të tij Zhiru, “një vepër arti”, ndërsa Arsenali vazhdoi rrugën e sukseseve duke mos iu ndarë skuadrave që luftojnë për titull.
“Ishte një vepër arti ajo që bëri Olivie, – tha Venger, – nuk e ka bërë në stërvitje, pasi gjëra të tilla nuk praktikohen në stërvitje, por janë çështje instinkti. Është art për shkak të të papriturës, të bukurisë së lëvizjes dhe saktësisë së lëvizjes. Ky gol nuk do të harrohet kurrë”. Venger shtoi se me këtë gol, Zhiru i ka dhënë vetes të drejtë të krahasohet me mjeshtrat e “veprave të artit” që kanë luajtur më parë për londinezët, si Tieri Henri apo Denis Bergkamp.