Monologu i titullit i Klopit, në prag të supersfidës me Sitin!

Nëse ka pasur një gjë që e ka dëmtuar më shumë Liverpulin këta 28 vjet, ka qenë diskutimi për titullin. Sa më shumë kalonte koha dhe sa më i largët titulli i fundit i fituar, aq më shkatërrues presioni mbi skuadrën për t’ia dalë më në fund. Në 2009 këtë e ndjeu ekipi Rafa Benitezit me Xherrardin, Karragerin e Torresin, në 2014, formacioni i Brandon Roxhersit me Suarezin, Xherrardin, Stërlingun dhe Starrixhin.

Jurgen Klop nuk dëshiron të bjerë në këtë grackë, sidomos tani pas fitores 5-1 ndaj Arsenalit në “Anfild”. “Unë nuk jam më i zgjuari në botë, por nuk jam aspak një idiot, – u shpreh ai, – nuk ka asnjë rëndësi sesa pikë përpara je në dhjetor. Nëse pëson humbjen e parë, ti vetë thua se “sa shumë nervoz që jam”. Ju (gazetarët) keni punë të lehtë. Do të doja të isha në vendin tuaj, por sërish të fitoja po kaq para sa tani. Ne nuk mund ta luajmë këtë lojë (të flasim për titullin), dhe ne nuk do ta luajmë. Aspak”!

Të enjten, Premier Liga do të ketë një supersfidë, atë mes Mançester Sitit dhe Liverpulit në stadiumin “Etihad”. “Ne nuk shkojmë në fushën e Sitit për të diskutuar sa pikë përpara apo prapa duhet të jemi, – thotë Klopi, – ne shkojmë për të fituar ndeshjen”.

Sfidanti.al