Harden, tri ndeshje radhazi me 40 pikë plus, mund Dejvisin

Gradualisht po kthehen në pozicionet e tyre të natyrshme. Basketbollistët e Hjustonit arritën fitoren e 20-të këtë sezon, përkundër 15 humbjeve, dhe kryefjala e suksesit është kapiteni Xhejms Harden. “Mjekra” shkëlqeu në fushën e Nju Orlinsit, në fitoren e vështirë 108-104, duke shënuar 41 pikë. Kjo ishte ndeshja e tretë radhazi që Hardeni shënoi 40 pikë apo më shumë, duke treguar se po arrin nivelin e vjetshëm kur u shpall Lojtari më i mirë i sezonit të rregullt (MVP).

Hardeni kapi edhe 9 topa në tabela, dhuroi 6 asistë, vodhi 3 topa nga kundërshtarët dhe bllokoi dy gjuajtje. Në krah të Hardenit, ishte Erik Gordon me 21 pikë, në mungesë të Kris Polit të dëmtuar. Gjithsesi, Hjustoi e fitoi ndeshjen falë mbrojtjes, pasi bllokoi siç duhet yllin kryesor të vendasve, Entoni Dejvisin. Ky shënoi vetëm 22 pikë, shumë pak për standardin e tij, si dhe kapi 11 topa në tabela.

Sfidanti.al