Mbas 10 vitesh dominimi të Kristiano Ronaldos dhe Lionel Mesit, një emër i ri u zgjodh si futbollisti më i mirë i vitit – Luka Modriç që mori çmin “The Best” (Më i miri) nga FIFA. Mefushori kroat që mori më shumë pikë sesa konkurrentët e tij nga kapitenët, trajnerët, gazetarët dhe tifozët, tha, midis të tjerave, mbasi mori çmimin e lartpërmendur:
“Jam krenar për këtë çmim që unë e kam merituar, duke pasur parasysh se të gjithë votuan më shumë për mua dhe unë, ndërkohë, pata një sezon të shkëlqyer. Nuk dua që të lavdërohem, nëse e konsideroj ose jo veten si më të mirin, por kolegët e mi, trajnerët, gazetarët dhe tifozët më zgjodhën mua”, vuri në dukje Modriçi që mori pesë pikë edhe nga Leo Mesi që për herë të parë nuk votoi në favor të ndonjë futbollisti të Barcelonës ose të Argjentinës.
“Më vjen mirë që Mesi votoi për mua, me të vërtetë, nuk e dija se ai kishte votuar për mua. Ai është një nga futbollistët më të mirë në histori dhe më vjen keq që ai nuk erdhi në këtë ceremoni. Do të doja që ai të ishte i pranishëm. Duke qenë se ai nuk është këtu, nuk mund të them asgjë tjetër, veçse se unë e vlerësoj shumë votën e tij”, theksoi Modriçi që, megjithatë, nuk i dha asnjë pikë Mesit.
“Unë votova për Varanin, Ronaldon dhe Grizmanin. Mesi është nga më të mirët, por duhet të merret parasysh ajo që ka bërë një lojtar gjatë sezonit të kaluar”, vuri në dukje Modriçi, duke shprehur keqardhjen se edhe Kristiano Ronaldo, ashtu si Mesi, nuk erdhi në ceremoninë e lartpërmendur.
Sfidanti.al