Milani “thatë” edhe në Frozinone, kurrë kaq keq në 34 vjet në Serinë A!

U bënë katër ndeshje pa gol. Milani, një nga simbolet e sulmit në Serinë A dhe në Europë, po kalon një nga krizat më të thella në lojën ofensive. Barazimi pa gola në fushën e Frozinones, do të thotë se skuadra e trajnerit Xhenaro Gatuzo ka tani 4 sfida radhazi në kampionat pa gjetur rrugën e rrjetës.

Tronditja bëhet edhe më e madhe nëse shikon se kundërshtarët kanë qenë të respektueshëm, por aspak të pakalueshëm, Torino, Bolonja, Fiorentina dhe tani Frozinone. Aspak, Juventusi, Napoli apo Interi. Duhet të kthehemi 34 vite prapa që të gjejmë një situatë të tillë, me 4 ndeshje radhazi pa realizuar.

Jo vetëm kaq, por skuadra e Gatuzos duhet të falenderojë fort portierin e saj, Xhixho Donaruma, që bëri të paktën tri pritje shpëtuese. Dakord, kuqezinjtë kanë dëmtime, mungoi edhe Suso, por gjithsesi në fushë ishin Kesi, Bakajoko, Higuain apo Kutrone.

Paraqitja në fushën e Frozinones ishte thuajse fotokopje e atyre të ndeshjeve të kaluara. Fillim premtues, këmbëngulje për të kaluar në avantazh, por pastaj rënie e nivelit dhe e besimit, ndërsa goli nuk shënohej.

Sipas mediave, Gatuzo kishte marrë ultimatum nga klubi për të fituar dy ndeshjet e radhës në Serinë A. Nuk dihet nëse drejtuesit do të mendojnë shkarkimin e trajnerit, apo do të presin mbylljen e vitit, me ndeshjen ndaj Spalit. Çfarëdo që të ndodhë, tekniku është në fije të perit, ndërsa Milani mbetet në krizë të thellë, duke rrezikuar seriozisht kualifikimin për në Champions sezonin e ardhshëm.

Sfidanti.al