Mesi shkëlqen me 3 asiste në fitoren e PSG-së, nuk ka tjetër si ai!

Mund të kritikohet dhe ndoshta nuk do ta fitojë dot Championsin me ekipin parizien, por talenti i tij duket që larg. Lionel Mesi pati një tjetër ditë të jashtëzakonshme në karrierë, duke shërbyer 3 asistë në një ndeshje të vetme, ndërsa Paris SG fitoi 3-1 në fushën e Sent Etienit. Magjistari argjentinas ndihmoi brazilianin Markinjos të shënonte dy gola, ndërsa një rrjetë tjetër u realizua nga patrioti i tij, Angel Di Maria. Sipas statisticienëve, Mesi ka 318 asistë për Barcelonën dhe PSG-në (kryesisht për katalanasit), ndërsa në 947 ndeshje në karrierë ka nivelin e 1 074 golave dhe asistëve.

Po ashtu, kapiteni i Argjentinës është i pari lojtar që jep 3 asiste në një ndeshje këtë sezon në Ligën e Parë të Francës. Ai pati 95 prekje të topit, 77 pasime, 14 pasime në zonë, 13 pasime në një të tretën e fundit të fushës, krijoi 5 raste, dha 3 asistë, krijoi 2 shanse të mëdhenj, bëri 2 ndërhyrje të suksesshme për top dhe 2 krosime! Fitorja bëri që PSG të arrinte në kuotën e 40 pikëve në 15 ndeshje të kampionatit me golaverazhin 35-15, i shkëputur nga rivalët.

Sfidanti.al