Mesi mendon më shumë për skuadrën se për Këpucën e Artë!

Një moment i rëndësishëm ishte ai i minutës së tretë shtesë të ndeshjes Barcelona-Getafe në La Liga. Katalanasit fituan 11-metërsh dhe njeriu më i natyrshëm për ta gjuajtur ishte Lionel Mesi. Flitej për kapitenin, për “penallistin” e skuadrës, për kryesuesin e renditjes së Këpucës së Artë dhe për lojtarin që kishte mundësi të shënonte golin e tretë në ndeshje dhe ta merrte topin me vete në shtëpi. Gjithsesi, argjentinasi zgjodhi të bënte diçka tjetër, duke ia dhënë penalltinë Antuan Grizmanit për ta gjuajtur, ndërsa sulmuesi nuk kishte pasur ndeshjen e tij më të mirë. Francezi nuk gaboi dhe Barça fitoi 5-2 duke qenë fare pranë kreut të renditjes. Pas vërshëllimës së fundit, Grizman shkoi dhe e përqafoi Mesin. Numri 10 ka 25 gola këtë sezon në La Liga, ndërsa Benzema ka 21, pra ende luftohet për Këpucën e Artë, por për të ka më shumë rëndësi harmonia në skuadër.

Sfidanti.al