Kishte fare pak kohë që kishte përfunduar Lufta e Dytë Botërore dhe si për ta festuar kthimin e paqes, në Itali u krijua një lloj motori që do të bënte histori. Iu vu emri Vespa, që në shqip do të thotë grenza, dhe që zotërohet nga kompania Piaxho (Piaggio). Vespa ka qenë gjithnjë një lloj motori me rrota të vogla, një skuter (Scooter), ndonëse në vitet 50-të e 60-të merrte pjesë në gara me motorët e tjerë, madje duke arritur edhe fitore. Më pas, motorët që po i quajmë “normalë” u bënë më të mëdhenj e më të fuqishëm, dhe Vespa pati gara të veçanta. Vespa u krijua si nevojë e pasluftës, në një vend me rrugë të shkatërruara dhe me popullsi jo edhe aq në gjendje të mirë ekonomike. Kompania Piaxho braktisi aeronautikën (edhe për shkak të kufizimeve të pas luftës) dhe krijoi motorin që u bë legjendar, një nga më të famshmit në botë. Në 1959, kompania Piaxho u ble nga familja Anjeli. Deri më sot, Vespa ka prodhuar 19 milionë motorë.
Sfidanti.al