Mesi grushton kundërshtarin, por Bilbao grushton Barçën për Superkupën!

Nuk mund të thuhet se është fundi i sezonit për një skuadër që ishte në ringjallje, por që mbetej tepër e brishtë. Sesa delikate ishte dhe mbetet Barcelona e tregoi Lionel Mesi, heroi katalanas i muajit janar, që mori karton të kuq në minutën e 120-të të finales së Superkupës së Spanjës ndaj Bilbaos, të humbur 2-3. Diçka e jashtëzakonshme i ndodhi skuadrës së trajnerit Ronald Kuman që kryesoi dy herë gjatë kohës së rregullt, dhe të dyja herët golat u shënuan nga ai që kishte nevojë të ishte heroi, Antuan Grizman. Për më tepër, në bashkëpunim me Mesin apo Zhordi Albën (si dhe Dembelenë).

Gjithsesi, Barcelona e sotme nuk është ajo që ka qenë, nuk e mban dot 100 për qind dominimin e ndeshjes, edhe pse në 90 minuta mbajti topin mbi 60 për qind. Mbrojtja “fut” ujë dhe po ashtu mentaliteti është i thyeshëm. Kur Bilbao barazoi në sekondat e fundit të ndeshjes së rregullt, u duk se “blaugranëve” iu “fikën dritat” dhe ata u dorëzuan në shtesë. Injaki Uilliams shënoi për 3-2 në 94’, ndërsa Oskar De Markos kishte barazuar për 1-1 në 42’ dhe Asier Vijalibre e kishte bërë në 90’. Mesi goditi me grusht pikërisht Vijalibren duke marrë të kuq. Atletik i Bilbaos fitoi me meritë trofeun e parë, nën drejtimin e trajnerit të ri, Marselinjo, ndërsa mundi në gjysmëfinale edhe Realin e Madridit. Marselinjo u shkarkua nga Valencia ndonëse e kualifikoi për në Champions dhe ndonëse fitoi Kupën e Spanjës pikërisht ndaj Barcelonës. Fati i Bilbaos!

Sfidanti.al