Hodhi nokaut Juventusin, a do të besoni tani tek Interi i Kontes?!

Shumëkush nuk besonte te kjo skuadër, edhe pse prej dy vjetësh është ngjitur pranë “takave” të kryesuesve të Serisë A. i tillë Interi dhe të tillë tifozët që nuk kanë lënë rast pa sharë trajnerin Antonio Konte, “me zemrën e tij juventine”, por sot padyshim që janë në qiellin e shtatë. Fitorja e madhe ishte pikërisht ajo ndaj Juventusit, një 2-0 plotësisht e merituar dhe që duhej të kishte qenë më e thllë. Përballë kampionëve të Italisë në 9 vitet e fundit, djemtë zikaltër treguan se janë aty ku duhet, në nivel loje dhe, në pjekuri dhe në besim në vetvete, pra përse të mos fitohet titulli?

Ishte fitorja e dytë ndaj “Zonjës së Vjetër” në 4 vjet, dhe ishte e treta në 10 vitet e fundit. Sa e vështirë për t’ia dalë? Suksesi e ngjiti ekipin e Kontes në vend të parë të Serisë A me 40 pikë, po aq sa Milani por që duhet ta luajë ndeshjen e tij. Gjithsesi, interistët kanë besim të patundur në vetvete, sepse mundën një kundërshtar që e kishte mposhtur Milanin pikërisht në “San Siro”, 3-1 pak ditë më parë.

Arturo Vidal në 13’ dhe Nikolo Barela në 53’ ishin autorët e golave. Ashraf Hakimi kujtoi ata mbrojtës krahu të niveleve më të lartë si dikur Roberto Karlos, Kafu, Brigel apo Filip Lahm, duke ndaluar Ronaldon në mbrojtje, e duke dalë rrufeshëm në sulm për të rrezikuar Juventusin. Ashtu siç ishte parashikuar, Frabota e pati shumë të vështirë përballë Hakimit

Barela, më i miri në fushë, shënoi edhe golin e dytë i shërbyer nga Bastoni.  Lukaku nuk mundi të bënte atë që pritej prej tij, ndonëse është e kuptueshme në një ndeshje të tillë ku ishte në qendër të vëmendjes dhe ku mbrojtja juventine u kujdes për të më shumë se për këdo tjetër. Madje në 38’, gjigandi belg e krijoi një rast edhe pse nuk shënoi. Lautaro Martinez nuk shënoi gjithashtu por ishte i rrezikshëm, siç ndodhi në 23’ e 71’.

Pirlo e kuptoi mbëmjen e vështirë të skuadrës së tij dhe u përpoq të ndryshonte diçka në rrugë e sipër. Një “injeksion tresh” me hedhjen në fushë në 58’ të Bernardeskit, Mekkenit e Kulushevskit, duke nxjerrë jashtë më të dobëtit, Frabotën, Ramsejn dhe Rabionë.  Juventusi krijoi rastin e parë të vërtetë vetëm në minutën e 87-të! Ishte Federiko Kieza, një nga më të mirët e kampionëve këto javë që vuri në provë Handanoviçin që reagoi në mënyrë të shkëlqyer.

Sfidanti.al