Man. Siti dhe Guardiola e kanë sezonin e Premier Ligës në duart e tyre!

Tashmë i kanë vënë nën kontroll “frenat” dhe po ashtu “marshet” kanë nisur t’i ndërrojnë siç duhet. Vetëm pak orë pasi u fol për kryendeshjen e dy pretendentëve të mëdhenj për titull, Liverpul-Mançester Junajtid, një tjetër ekip na rikujtoi se kush ka qenë më i miri i dekadës 2010-2020. Jo Junajtidi, absolutisht jo Liverpuli, por veçse Mançester Siti. Fitorja e pamëshirshme dhe plot frymëzim 4-0 në “Etihad” ndaj Kristël Palasit bëri që ekipi i Pep Guardiolës të jetë tani favorit për të dalë në vend të parë të Premier Ligës. Xhon Stouns, Ilkai Gyndogan, sërish Xhon Stouns dhe Rahim Stërling ishin autorët e golave, duke nisur në 26’ e duke përfunduar në 88’.

Siti ka tani 35 pikë, dy më pak se Junajtidi, ndërsa ka një ndeshje më pak të luajtur. “Qytetarët” janë baraz me Leisterin, dhe një pikë mbi Liverpulin. Ka një kombinim interesant të rezultateve të ekipeve kryesorë në Premier, pasi Junajtid ka barazuar në fushën e Liverpulit, Liverpuli ka barazuar në fushën e Sitit dhe Siti ka barazuar në fushën e Junajtidit. Liverpuli ka mundur Totenhemin në “Anfild”, Totenhemi ka mundur Sitin në Londër dhe ka triumfuar 6-1 ndaj Junajtidit në “Old Traford”. Këto kombinime mund të ndikojnë në matematikën e javës së fundit.

Sfidanti.al