Raporti i Lionel Messi me Paris SG ka marrë një tjetër goditje dhe nëse kishte pak dyshime, tani është e sigurt se sulmuesi argjentinas do të largohet në fund të sezonit. Zërat që qarkullojnë prej kohësh forcohen nga presitigjozja franceze “Lekip”, që flet për një kaos të vërtetë të shkaktuar nga vendimi i fundit i “Pleshtit”. Lionel Messi vendosi të mos e ndryshojë agjendën e tij dhe menjëherë pas humbjes së rëndë në kampionat kundër Lorient fluturoi drejt Arabisë për të përmbushur impenjimin e tij për të promovuar kandidaturën e këtij shteti për organizimin e Botërorit 2030.
Kjo gjë nuk është pritur aspak mirë te kampionët francezë, ndërsa tifozët në rrjet nuk i kanë kursyer aspak kritikat. Në këtë mënyrë, sapo të mbyllet ky sezon, rrugët e Lionel Messi dhe Paris Sent Zhërmen do të ndahen. Arabia Saudite është një destinacion i mundshëm, por kampioni i botës ka edhe oferta të tjera. Njëra vjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku e pret Inter Majemi me pronar David Bekham. Por për momentin opsioni që ka marrë më shumë kuota është një rikthim i mundshëm te Barcelona. Madje, klubi “blaugrana” ka prezantuar edhe planin financiar dhe një ofertë për sulmuesin. Kështu, zgjedhjet për Lionel Messi nuk mungojnë, por për momentin i sigurt është largimi nga Paris Sent Zhërmen.
Sfidanti.al