Basketboll për meshkuj, Tirana barazon serinë finale ndaj Besëlidhjes!

Do të luftohet deri në fund. Titulli kampion në Shqipëri në basketboll për meshkuj do të përcaktohet vetëm në ndeshjen e pestë dhe fundore të plej ofit, pasi Tirana arriti një tjetër sukses. Skuadra bardheblu, e drejtuar nga trajneri Erkand Karaj, triumfoi 82-66 ndaj Besëlidhjes në sfidën e katërt të fazës finale, duke merituar gjithçka. Në këtë mënyrë, kryeqytetasit e realizuan reagimin e madh, duke barazuar shifrat 2-2 me fitore pasi lezhjanët kishin arritur dy sukseset e para. Trajneri Karaj ishte i kënaqur. Besëlidhja papritur e humbi epërsinë, ndonëse u duk se e kishte titullin në dorë. Trajneri Afrim Bilali u tregua sportiv pas ndeshjes, duke menduar menjëherë për sfidën e fundit. Ndeshja e pestë dhe përcaktuese e finaleve të plej ofit luhet në 4 maj në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”.

Sfidanti.al