Mesi dhe Ronaldo, Botërori nuk mund të luhej pa “binjakët e artë”

Nuk mund të mendohej Kupa e Botës pa ata. Lionel Mesi dhe Kristiano Ronaldo janë më të mirët e futbollit në rruzull, por iu desh të prisnin deri në ditën e fundit për t’u kualifikuar. Argjentina dhe Portugalia ia dolën, edhe pse rrezikuan shumë.

Në Amerikën e Jugut, ishte vetë Mesi që e nxorri ekipin e tij nga balta, apo më mirë të themi nga mungesa e oksigjenit në 2800 metra mbi nivelin e detit në Ekuador. Ylli i Barcelonës u bë autor i të tre golave për Argjentinën në stadiumin e Kitos, duke përmbysur rezultatin në një ndeshje që nisi keq.

Romario Ibarra kaloi vendasit në epërsi që në minutën e parë, veçse Mesi më në fund u paraqit në kombëtare, ashtu si me klubin. Ai ka shënuar 61 herë për ekipin përfaqësues, ndërsa në sezonin në vazhdim ka arritur në 17 rrjeta në vetëm 12 ndeshje.

Nënkampionët e botës në fuqi nuk patën nevojë as për plej ofin, pasi zunë vendin e tretë në grupin e Amerikës Latine, duke u kualifikuar për në Rusi së bashku me Brazilin, Uruguajin dhe Kolumbinë.  Peruja, ndërkaq, do të duhet të luajë plej ofin me Argjentinën për të siguruar Botërorin.

Duke u afruar në Europë, Kristiano Ronaldo po ashtu e fitoi të drejtën për në Kupën e Botës, veçse këtë herë nuk ishte kaq protagonist. Portugalia fitoi finalen e vërtetë ndaj Zvicrës në “Estadio da Luz” të Lisbonës, duke zënë vendin e parë në grupin B. i duhej pikërisht një sukses me dy gola diferencë, dhe e arriti falë autogolit të Johan Zhurusë dhe rrjetës së Andre Silvës në pjesën e dytë.

Sfidanti.al