“Mbreti i shiut” dominon provat në F1, Hamilton lë pas Vestapenin 1.2 sekonda!

Dikur ishin legjendat Huan Manuel Fangio, Airton Sena, Alen Prost e Mikael Shumaher, ndërsa sot njeriu që mban lart traditën quhet Ljuis Hamilton. Britaniku, kampion i botës në fuqi në Formula 1, realizoi një paraqitje brilante në provat zyrtare të Çmimit të Madh të Stirisë (Shtajermark në gjermanisht), në kushtet e reshjeve të dendura të shiut. Hamiltoni, në timonin e Mercedesit, dominoi me një lehtësi të madhe ndaj rivalëve, mes të cilëve të tillë si Verstapen, Botas, Fetel apo Leklerk.

Koha e fituesit ishte 1’19”273, ndërsa Verstapeni me Red Bull mbeti 1.2 sekonda prapa. Paraqitje e shkëlqyer edhe për pilotin spanjoll, Karlos Sainz, që doli i treti fare pranë Verstapenit, me makinën e tij Meklaren që duket se e ka marrë veten. Në vend të katërt fituesi i Çmimit të Madh të Austrisë, Valteri Botas i Mercedesit. Paraqitje-katastrofë për Ferrarin, e dytë radhazi këtë sezon. Fetel doli në vend të 10-të dhe Leklerk i 11-ti, me 1.7 e 1.9 sekonda diferencë me Hamiltonin. Kjo ishte fitorja e 89-të e 35-vjeçarit në provat zyrtare të Formula 1, duke thelluar diferencën me Shumaherin (68).

Sfidanti.al