Mbrëmja e kapitenëve, Ramos shënon dhe Mesi kthehet në fushë

Pati një problem sidoqoftë, dhe duket se mund të vazhdojë disa kohë tek Paris SG, apo ndoshta edhe gjithmonë. Lionel Mesi u kthye në fushën e lojës për kryesuesit e kampionatit francez, veçse në rreth 30 minuta në terren, nuk mundi të ndikonte aspak në ndeshje. Superylli argjentinas u pa disa herë të kërkonte topin, por duket se shokët e kanë humbur disi respektin për të, apo ndoshta ai vetë nuk arrin të imponohet siç bënte tek Barcelona. Gjithsesi, kapiteni i Argjentinës kishte 1 muaj pa luajtur dhe natyrisht nuk mund të arrinte ritmin e duhur. Në fund të fundit, në fitoren 4-0 ndaj Reimsit nuk arriti të shënonte as Kilian Mbape, ylli i këtij sezoni për PSG-në. Ai u zëvendësua në 77’ nga Draksler, e ndoshta nuk e ka pritur mirë që e larguan. Dy gola i shënoi Marko Verrati, italiani që u dallua shumë, një Danilo Pereira (të katërtin), ndërsa një tjetër ish-kapiten pati mbrëmjen e tij. Sergio Ramos ishte titullar në krah të Markinjosit dhe shënoi për 2-0 në minutën e 62-të, një minutë përpara sesa Mesi të hynte në ndeshje. Paris SG kryeson ligën me 53 pikë, 11 më shumë sesa Nisa e vendit të dytë.

Sfidanti.al