“Martesa e vështirë” Sadio Mane-Bajern Mynih

Nuk do të jetë pjesë e skuadrës që do të luajë në ndeshjen e rëndësishme të Bundesligës ndaj Hofenhajmit. Pavarësisht, se përballja cilësohet tepër e rëndësishme për fatin e garës për titull në kampionat, sërish drejtuesit e Bajernit morën vendimin që Sadio Mane të pezullohet për këtë javë.  Kjo, pasi sulmuesi nga Senegali goditi me grusht shokun e ekipit, Leroi Sane, në dhomën e zhveshjes së stadiumit “Etihad” në humbjen ndaj Sitit në Champions.  Futbollisti 31-vjeçar ka marrë edhe një gjobë, ndonëse kjo nga ana financiare nuk pritet t’i prishë asnjë punë përderisa ai ka rrogë 20 milionë euro në sezon (pa llogaritur taksat). Gjithsesi, interesant është intrigimi që bën tabloidi “Bild”, që bën pyetjen: Çfarë kërkoi Sane nga trajneri Tuhel dhe drejtori sportiv, Salihamixhiç, në takimin që pati pas incidentit?

Nga ana tjetër, “Bildi”, krijon një tjetër intrigim duke pyetur se çfarë ka ndryshuar tek Mane që pas mbrëmjes fatkeqe të 8 nëntorit të vitit të kaluar? Fjala është për mbrëmjen kur Mane pësoi dëmtimin e rëndë në ndeshjen ndaj Verderit në Bundesligë, që e la pa Kupën e Botës. Me gjasë, sulmuesi ka kaluar një gjendje të vështirë psikologjike, dhe po ashtu nuk e ka marrë veten plotësisht në formën sportive. Ky lloj shqetësimi mund të jetë një nga arsyet e agresivitetit në sjelljen ndaj Leroi Sanesë. Përtej incidentit që ndodhi në Mançester, drejtuesit e klubit dhe vetë Sane janë gati të bisedojnë për rinovimin e kontratës që mund të ndodhë në vjeshtë.

Sfidanti.al