Mançester Siti drejt rekordeve, madje pa “maksimumin e shpejtësisë”

Komentet në gazetat angleze ishin që Mançester Siti e respektoi Bornmuthin edhe pse e mundi 4-0. Rezultati mund të kishte qenë shumë më i thellë, por kryesuesit e Premier Ligës luajtën si “macja me miun” me kundërshtarin shumë më modest, veçse si një “mace” që nuk donte ta vriste “miun”. Një “mace” e ngopur.

Nuk ka sesi të jetë ndryshe për një ekip që ka arritur 17 fitore radhazi, rekord absolut jo vetëm i Premier Ligës, por i gjithë historisë së kampionatit anglez që kur nisi në 1888. Formacioni i Pep Guardiolës arriti në 101 gola në këtë vit kalendarik në kampionat, diçka që nuk është parë në 35 vjet, ndërsa ka në dispozicion edhe dy ndeshje deri në mesnatën e 31 dhjetorit, për të thyer rekordin e Liverpulit të madh të vitit 1982, me 106 gola në elitë në 365 ditë.

Me 60 gola në 19 ndeshje, Siti ka mundësi të thyejë rekordin e Aston Vilës që ka 128 gola në një kampionat të elitës, veçse të arritur në një kampionat ku janë luajtur 42 ndeshje, jo 38 siç do të luhen këtë sezon.

Heroi i veçantë i ndeshjes ishte padyshim Sergio “Kun” Aguero. Ai shënoi dy herë dhe arriti në 100 rrjeta në stadiumin “Etihad”. Po ashtu, ai shtoi rekordin personal si shënuesi më i mirë i historisë së klubit, me 184 gola deri tani, ndër të cilët 134 në Premier Ligë. Vetëm Alan Shirer ka arritur më shpejt sesa argjentinasi shifrën e 100 golave në kampionat. Cila do të jetë e ardhmja e Agueros? Guardiola nuk deshi të spekullonte, por u shpreh se “do të jetë vetë Kun që do të vendosë”.

Sfidanti.al