Manaj përjashtohet nga Peskara! Një shuplakë italiane edhe  për..kuqezinjtë

Trajneri i Peskarës, Masimo Odo, nuk i tregon të gjitha, por mjafton vetëm një fakt: sulmuesin e Kombëtares, Rei Manaj, e ka përzënë nga Peskara.  Çfarë ka bërë Rei për ta merituar këtë vendim që e ndërlikon karrierën e tij? Odo tregohet shumë i prerë:  “Më mirë të marrë në ekipin e parë një djalosh nga ekipet e moshave, sesa të kem një futbollist që nuk di të komunikojë”.  Pas ngjarjes në Peskara, në Shqipëri kanë filluar të numërojnë bëmat e Manaj në ekipet përfaqësuse ku ka luajtur, pastaj dalin tek Kaçe, apo edhe tek Sadiku që bëri fjalë me shokun e ekipit për një top. Si padashje, askush nuk e llogarit në listën e gjesteve të ndaluara “kokën e artë” të Etrit Berishës që na la në baltë në mënyrën më flagrante. Aq më budalla dukesh po të kujtosh kartonat e Lorikut në Francë.

Rei Manaj, sulmuesi që konsiderohej me kokë të nxehtë dhe këmbë të talentuara, ka humbur shansin për të bërë udhëtimin profesional në Serinë A.  Edhe shoku i tij i ekipit Memushaj, flet me pikatore për zënkën e fundit të Reit me një nga portierët e Peskarës, por,prapë, duhet t’i themi faleminderit edhe për aq, sepse kur janë me Kombëtaren kanë frikë të flasin pa leje, pa marrë ..kasetën. Disa dyshojnë se trajneri Odo nuk është tipi ideal që duron shqiptarët dhe rasti i zënkës me portierin paska qënë i mirëpritur, pa pritur limitin profesional. Do të thoni ju se Manaj nuk është Baloteli dhe sharra ngeci shumë shpejt në gozhdë, sidomos kur kujton se tek Peskara kanë shijuar dy modele, Memushaj që flet pak dhe bindet, Manaj që s’bindet kollaj dhe ka një shpirt rebel.

Sfidanti.al