“Old Traford” njihet si Teatri i ëndrrave, por mbrëmjen e fundit, bukuria e tij u shtua edhe nga një “element” tjetër. Ylli i Hollivudit, Xhulia Roberts, u ndodh në tribunat e tij për të ndjekur Mançester Junajtidin, në ndeshjen e tij në Premier Ligë. Aktorja amerikane kishte marrë me vete tre fëmijët e saj, dhe nuk ngurroi të zbriste në fushë në përfundim të duelit ndaj Uest Hemit. Aty u takua me mesfushorin Majkëll Karrik, si dhe me gruan e Uejn Runit, dhe fëmijën e tyre.
Roberts e quan veten “një nënë futbolli”, pra është një tifoze e thekur e lojës që nuk është bërë ende shumë popullore në Amerikë. Dyzetenëntëvjeçarja, me rolin kryesor në filmin “Gruaja e Bukur”, pati në krah edhe të shoqin Daniel Moder, duke ndjekur ndeshjen që u mbyll 1-1.