Me Izraelin e pati fajin policia, po në Itali ..kujt do t’ia futim

Edhe nëse në fushë nuk arrin të deshifrosh se çfarë ndodh me Kombëtaren në ndeshjet e këtij sezoni, ka një skemë loje që rrezaton qartazi në media. Ju kujtohet para ndeshjes me Izraelin, sapo doli De Biazi dhe tha se takimi do të ishte si një finale për vendin e tretë, njëri pas tjetrit brofën futbollistët dhe ia “plasën” trajnerit në fytyrë, duke hedhur shashkën: “ Ne luajmë vetëm për të fituar dhe për kualifikim, nuk na intereson vendi i tretë”. Ajo që ndodhi në fushë, ku secili bënte pozën më të bukur të dezertorit, ishte fillimi i tradhëtisë, se pas ndeshjes, skema taktike me median u pasurua ndjeshëm.

Dolën futbollistët dhe gjetën shkakun e humbjes së madhe me izraelitët:  policia na traumatizoi edhe në fushë, ngaqë bllokoi dhe e sfiliti lojtarin e 12-të, tifozët. Kaluan ditë me akuzën idiote se ndeshjen e kishte humbur policia dhe jo Shqipëria e çunave të Francës, derisa doli trajneri De Biazi me fjalët e arta: “ Ndeshjen e humbëm ne dhe jo policia”. U bë më edhe më komike situata, kur vetë Policia sikur kishte qejf ta merrte faturën e humbjes vetëm e vetëm që “shqiponjat” të lehtësoheshin moralisht. Dikur kishin bërë një komunikatë qesharake me “ një arbitër që nuk kishte patur motër”, këtë herë, policia vetë doli se ishte pa..babë.

Sfidanti.al