Ole Gunar Solskjeri nuk pati zgjidhje tjetër, dhe logjika ishte që do të humbiste. Ndoshta Mançester Junajtidi mund të kishte marrë edhe barazimin në “Old Traford” ndaj Leisterit, por me aty ekip “gjysmagjel” që trajneri norvegjez hodhi në fushë vështirë të kishte përfundim tjetër. “Dhelprat”, që luajtën pak a shumë me më të mirët, triumfuan 2-1 dhe tani janë praktikisht të kualifikuar për në Champions për sezonin e ardhshëm. Liverpuli, dhe me gjasë Uest Hemi, do të duhet të kënaqen me Ligën Europës.
Ljuk Tomas kaloi miqtë në epërsi në 10’, por vetëm 5 minuta më vonë Mejzën Grinvud barazoi. Gjithsesi, në 66’ futbollisti turk Çaglar Sojunxhu vulosi fitoren e ekipit të trajnerit Brendon Roxhers. Nuk bëri punë për vendasit aktivizimi për 25’ i Kavanit e Rashfordit dhe për 12 minuta i Bruno Fernandesit.
Junajtid ka 70 pikë pas 35 ndeshjeve, Leisteri është i treti me 66 në 36 ndeshje, ndërsa vazhdon Çelsi me 64 (35 ndeshje), Uest Hemi me 58 (35) dhe Liverpuli me 57 (34). Do të duhet që Liverpuli të fitojë të gjitha ndeshjet dhe që Leisteri të humbasë njërën nga ato që i kanë mbetur, në mënyrë që ekipi i Jurgen Klopit ta kalojë në renditje, pasi e ka më mirë bilancin e ndeshjeve direkte.
Man. Junajtid: De Gea, Uilliams, Bejli, Tuanzebe, Tejes, Van de Bek, Matiç, Traore (Bruno Fernandes 78’), Mata, Elanga (Rashford 66’), Grinvud (Kavani 66’). Tr. Solskjer
Leister: Shmajkel, Kastanje, Fofana, Sojunxhu, Albrajton, Ndidi, Tilemans, Tomas, Perez (Medison 65’), Iheanaço, Vardi (Hudhuri 80’). Tr. Roxhers
Sfidanti.al