Man. Junajtidi e shkëputi barazimin me Atetikon, Benfika ndali Ajaksin!

Rregulli i ri për golin jashtë fushe ka bërë që të ketë edhe më shumë barazime se më parë, dhe të mos ekzistojë shumë frika për të pësuar gola. Kështu ndodhi në sfidate  sotme të Championsit, që përfunduan 1-1 në Madrid dhe 2-2 në Lisbonë. Atletiko u ndal nga Mançester Junajtidi në “Uanda Metropolitano”, ndërsa Benfika pati guximin që të luftonte deri në fund për të mos lejuar humbjen ndaj Ajaksit. Në Spanjë, Junajtidi dominoi me topin (62 për qind), por Atletiko ishte më e rrezikshme duke gjuajtur më shumë drejt portës e duke krijuar më shumë raste. Zhoao Feliks shënoi që në fillim (7’), por sulmuesi i ri, Entoni Elanga, barazoi në 80’. Në “Old Traford” pritet betejë e madhe pasi spanjollët e trajnerit Simeone nuk dorëzohen lehtë, ndërsa kanë disa lojtarë të rrezikshëm si Luis Suarez, Antuan Grizman apo Zhoao Feliks.

Në Lisbonë, Ajaksi ishte favorit për fitoren, por Benfika tregoi se ka karakterin për të luftuar deri në fund, siç bëri në ndeshjet e grupit ndaj Barcelonës. “Shqiponjat” u gjendën dy herë në humbje në “Estadio da Luz” kur Dushan Tadiç në 18’ dhe Sebastian Haler në 29’ shënuan për holandezët. Një autogol i Halerit në pjesën e parë dhe goli i ukrainasit Roman Jaremçuk siguruan dy herë barazimin për Benfikën, që do të përpiqet të shkaktojë të papriturën në Amsterdam. Ndeshjet e kthimit luhen në 15 mars.

Sfidanti.al