Tërmeti “6-ballësh” ndaj Lidsit afron Liverpulin me kreun!

Një ndeshje që nuk pati histori, por që mund të krijojë histori. E tillë fitorja e Liverpulit me Lidsin me shifrat 6-0 që e afruan skuadrën e trajnerit Jurgen Klop në vetëm 3 pikë largësi nga maja e Premier Ligës që mbahet nga Mançester Siti. Ishte paraqitja e përsosur, me 6 gola të shënuar dhe asnjë të pësuar, me 64 për qind mbajtje topi, me 19 gjuajtje drejt portës (4 Lidsi) dhe 13 në kuadrat (3) dhe me kornet 4-0. Mohamed Salah e Sadio Mane shënuan nga dy gola, ndërsa dy gola u shënua nga qendërmbrojtësit Virgil Van Dajk dhe Zhoel Matip. Të kuqtë kanë tani një golaverazh të shkëlqyer, +50, me 70 gola të shënuar e vetëm 20 të pësuar. Siti i Guardiolës është në +66 (63-17). Edhe pse ndeshja direkte do të luhet në fushën e Sitit në 10 prill, morali tek Liverpuli është i lartë. Jo më kot dëmtimet nuk janë të tilla si vitin e kaluar, kur mungesat e qendërmbrojtësve Van Dajk, Matip dhe Gomez, i dhanë fund përpjekjeve për të ruajtur titullin. Për më tepër, tifozët anglezë besojnë se të kuqtë kanë më shumë shanse për të fituar Championsin (30 për qind) në krahasim me ekipin e Guardiolës (26 për qind).

Sfidanti.al