Nuk është pak të kalosh këta rivalë, aq më tepër kur nuk vlerësohesh si dikur. Mediat angleze nuk ngurruan të thoshin se Mançester Junajtidi nuk është ende në nivelin e kohës së Sër Aleks Fergusonit kur “Old Trafordi” ishte një “Fortesë” e vërtetë, por gjithsesi disa çaste nga lavdia e mëparshme po shihen gjithnjë e më shpesh. Suksesi 2-0 në Premier Ligë ndaj Totenhemit ishte i merituar, me dominim jo edhe aq të vogël në lojë dhe në raste. Plot 18 gjuajtje drejt portës ndaj 5 të miqve, dhe 10 në kuadrat ndaj vetëm 1 të “gjelave” të trajnerit Antonio Konte.
“Jemi shumë të lumtur, – tha autori i njërit prej golave, Bruno Fernandesi, – ishte një ndeshje e madhe, thuajse e përsosur. Bëmë atë që nuk bëmë dot ndaj Njukasëllit edhe pse patëm shumë raste. Ne kemi potencial shumë të madh në sulm, me Rashfordin, Sançon, Fredin”. Tashmë, Junajtidi i trajnerit Erik Ten Hag ka fitore në “Old Traford” ndaj Liverpulit, Arsenalit e Totenhemit. “Djajtë e kuq” kanë 19 pikë, vetëm 1 më pak se Çelsi i vendit të katërt, edhe pse katastrofa 3-6 në derbin ndaj Sitit djeg ende. Këtë herë, golat u shënuan nga Fred dhe Fernandes.
Sfidanti.al