Duket se trajneri ia ka bërë benë (i zemëruar edhe nga sjellja e motrave të tij), dhe Kristiano Ronaldo me gjasë e ka kuptuar. Në “Old Traford” dy gjelat janë pikërisht portugezi dhe Erik Ten Hagu, i cili nuk e ka problem të përdorë “dorën e hekurt” edhe ndaj njërit prej dy yjeve më të mëdhenj të futbollit të 20 viteve të fundit. Ronaldo u la në stol për sfidën ndaj Totenhemit në Premier, dhe u largua në minutën e 90-të drejt tunelit të stadiumit pa pritur vërshëllimën e arbitrit dhe pa festuar me shokët dhe me tifozët fitoren e radhës. Pati shumë kritika nga përkrahësit e “djajve të kuq” në rrjetet sociale, për mungesë respekti, ndërsa Ten Hagu nuk e zgjati shumë. “E pashë atë që bëri, – tha holandezi, – do të merrem nesër me këtë (sot), jo tani. Ne duhet të festojmë fitoren dhe të bëhemi gati për të shtunën”. Edhe legjenda Alan Shirer theksoi se “Ronaldo ndoshta është lojtari më i madh që kemi parë, por ai nuk duhet të sillet ashtu, sepse ia vështirëson punën trajnerit”.
Sfidanti.al