De Biazi i jep një këshillë Rejës për Armando Brojën!

Një yll i sulmit dhe njeriu i stolit janë në qendër të polemikave te kuqezinjtë. Sjellja e Armando Brojës dhe e ardhmja e Edi Rejës cilësohen çështje vendimtare për kombëtaren, dhe një “ish” i shquar si Xhani De Biazi, flet për ta, në intervistën ekskluzive për Abc-në. Trajneri më i suksesshëm i përfaqësueses i jep të drejtë Rejës në vlerësimin për Brojën. “Nëse e thotë Reja, duhet t’i besojmë sepse është një trajner që ka stërvitur lojtarë të mëdhenj. Mendoj se me moshën që ka mund t’ia lejojë vetes të shprehet në këtë mënyrë, sidomos kur flet për djem që janë nga 20 deri në 25 vjeç. Ndodh që lojtarët të humbasin aftësinë për të menaxhuar veten, sepse suksesi të mbërthen papritur dhe pastaj nuk je gati për ta përballuar. Gjithsesi, kur njeriu është edhe cilësor, edhe i pjekur, gjërat mund të shkojnë më mirë”.

Si do të sillej De Biazi nëse do ta kishte Brojën në ekip? “Unë mendoj se nga ana teknike dhe fizike ai është lojtar i jashtëzakonshëm. Nuk e njoh mentalitetin e tij, sjelljen e tij. Kur merrja në ekip një lojtar të ri, kisha një parim. Shkoja ta takoja, flisja me të, i tregoja cilët ishin objektivat, si ishte raporti i tij me faktin e krijimit të një skuadre, pra për të menduar së pari për të tjerët, jo vetëm për vetem. Mendoj se ky është aspekti ku duhet punuar, sidomos me djemtë më të rinj”.

Sfidanti.al