Man. Junajtid forcon pozitat për Championsin, Solskjer shpreh dëshirën për Ronaldon!

Çfarë do të ndodhte nëse në “Old Traford” do të kthehej lavdia e dikurshme, dhe kur ekipi i blatuar me kaq shumë talente të rinj e me disa luftëtarë si Fernandes apo Matiç, të kishte në përbërje edhe Kristiano Ronaldon. Trajneri Ole Gunard Solskjer e shprehu dëshirën për portugezin, duke thëksuar se nëse do të duhej të zgjidhte një nga ish-shokët e ekipit, ky do të ishte Ronaldo. “Unë do të doja të kisha Ronaldon këtu, – tha Solskjeri, – ai ka qenë lojtari më i mirë i botës së bashku me Mesin për 10-15 vitet e fundit. Padyshim që do ta doja në ekip. Do të doja edhe Roi Kinin nëse do të ishte ende në fushë, por nuk di nëse do të isha në gjendje për ta kontrolluar”.

Mançester Junajtidi i Solskjerit po ecën mirë së fundmi, dhe pas fitores së derbit në “Etihad” ndaj Sitit erdhi suksesi në “Old Traford” kundër Uest Hemit. Një sfidë jo e lehtë ndaj një rivali për në Champions, fituar minimalisht 1-0 madje me një autogol. Gjithsesi, Junajtidi pati epërsi dhe u kthye në vend të dytë në renditje pas Sitit, duke lënë pas Leisterin që mundi 5-0 Shefild Junajtidin. “Djajtë e kuq” kanë 57 pikë (ndaj 71 të Sitit), Leisteri ka 56, Çelsi 51 e më pas vijnë Uest Hemi, Evertoni, Totenhemi e Liverpuli.

Sfidanti.al