F1, testet në Bahrein mbyllen nën shenjën e Red Bull

Testet zyrtare parasezonale të Botërorit të Formula 1 në Bahrein u mbyllën nën shenjën e Red Bull. Skuderia austriake dominoi në pistën e Sakhirit si në sesionin e paradites ashtu edhe atë të pasdites teksa regjistroi kohën më të shpejtë në ditën e fundit. Ishte Max Verstappen ai që mundësoi që Red Bull të mbyllte në mënyrën më të mirë të mundshme këto teste teksa u rendit në vendin e parë me kohën  1 minutë 28 sekonda  e 960 të mijtat.

Surprizën në këtë ditë të fundit të testeve parasezonale e bëri debutuesi Tsunoda me Alpha Tauri që u rendit në vendin e dytë, ndërkohë që Ferrari shënoi përmirësime teksa shënoi kohën e tretë më të mirë me Carlos Sainz me 6 të dhjetat më shumë se Verstappen. Spanjolli ndiqet nga Kimi Raikkonen me Alfa Romeo në vendin e katërt dhe kampioni i botës në të pestin.

Koha e gjashtë më e mirë për Russell që la pas Ricciardon, Perez dhe Alonson, ndërkohë që Leclerc zbriti në vendin e 10. Nuk shkuan aspak mirë gjërat për Aston Martin, me Vettel që u rendit në vendin e parafundit, ndërsa Stroll në të fundit

Sfidanti.al