Sergio Ramos është vlerësuar si njeriu i golave të rëndësishëm fitues në minutat e fundit për Realin e Madridit, por kjo e diel në “Sançez Pizhuan” të Seviljes do të mbahet mend për tjetër gjë. Mbrojtësi i hekurt shkaktoi autogol në portën e tij pesë minuta para fundit duke barazuar rezultatin, ndërsa skuadra vendase “falenderoi” dhe fitoi në sekondat përmbyllëse. Reali i Zidanit u mposht pas 40 ndeshjeve radhazi pa disfatë, në barazim të rekordit të Notingem Forestit, por duke mos e thyer dot.
Stevan Jovetiç, malazezi i ardhur nga Italia, ishte autori i golit të “infarktit” për rezultatin përfundimtar 2-1. Të dyja skuadrat patën raste në pjesën e parë, por nuk shënuan dot, ndërsa në minutën e 67-të, Kristiano Ronaldo, kaloi miqtë në epërsi. Avantazh që u përmbys në 5 minuta në fund. Ramos ishte i “urryeri” në stadium pas sharjeve të rënda që mori në ndeshjen e Kupës dhe golit me penallti që shënoi për Realin.
Fitorja e Seviljes bën që lufta për titull në ligën spanjolle të hapet plotësisht. Madridi kryeson me 40 pikë dhe një ndeshje më pak, por pikërisht Sevilja ka 39 dhe Barcelona e ndjek me 38. Nuk është larg as Atletiko që ka 34 pikë.