Juventusi është i thyeshëm këtë sezon, më shumë sesa vitet e tjera. Disfata në fushën e Fiorentinës ishte e katërta në kampionat, shenjë se jo gjithçka shkon siç duhet për “superfuqinë” e Italisë, pesë herë kampione radhazi. Nikola Kaliniç dhe Milan Badelj siguruan një fitore shumë emocionuese në “Artemio Franki”, sukses që nuk e ndaloi dot goli i zakonshëm i realizuar nga Gonzalo Higuain. Paulo Dibala ishte pranë barazimit 2-2, por nuk ia doli dhe tani bardhezinjtë janë vetëm 1 pikë larg Romës, ndonëse kanë për të zhvilluar një ndeshje të prapambetur.
Fiorentina zhvilloi ndeshjen e përsosur, ndërsa Alegri u detyrua të hiqte dorë nga skema 3-5-2 aq e suksesshme më parë. Nuk bënë punë as të katër sulmuesit në fushë për kampionët e Italisë. Juve ka tani 45 pikë (plus takimin me Krotonen), ndërsa Roma ka 44, për të vazhduar me Napolin që ka 41 dhe pastaj me ekipet e tjera. Është pikërisht Roma rivalja kryesore për titull, ndonëse trajneri i kryeqytetasve ka deklaruar se nëse nuk do të ketë përforcime, do të jetë e vështirë.