Ka qenë prej kohësh e tillë Borusia, por duket se po ia merr dorën edhe më shumë. Me një brez të tillë të rinjsh të talentuar, klubi i Bundesligës duhet ta nervozojë (ish) presidentin e Bajernit, Uli Hënes, edhe më shumë se më parë. Llogaritë janë që Dortmundi mund të fitojë 500 milionë euro nga kartoni i disa yjeve thuajse adoleshentë, apo edhe më të vegjël, që i ka siguruar më parë me çmime të përshtatshme. Erling Halandi (20 vjeç) u mor për jo më shumë se 20 milionë euro, vlerën e tanishme të kartonit e ka 80 milionë, dhe pas kalimit të krizës së koronavirusit kjo mund të shkojë në 120 apo 150 milionë euro. Xhud Belinghami 17-vjeçar erdhi për 27 milionë euro nga Anglia dhe në fund të sezonit mund të vlejë 40-50 milionë, e me kalimin e kohës edhe më shumë. Xhovani Rejna u mor për 15 milionë, ndërsa parashikohet që ka potencial për 50 milionë euro. Xhejzën Sanço erdhi për “një copë bukë” dhe tani për të kërkohen 120 milionë euro, ndërsa Jusufa Mukoko cilësohet si talenti më i madh i Gjermanisë. Në moshën 15 vjeç (mbush 16 në 20 nëntor), ende nuk mund t’i vihet vlerë kartonit, por shumë shpejt do të shkojë mbi 100 apo 150 milionë euro.
Sfidanti.al