Realizoi një tripëll dabëll dhe ishte më i miri lojtar në fushë, por skuadra e tij këtë herë u mund. Lebron Xhejmsit nuk i bënë punë 30 pikët e shënuara, as 10 topat në tabela dhe 11 asistet, plus 2 vjedhje topi e 2 bllokime gjuajtjesh, pasi Denver Nagets reagoi në ndeshjen e tretë finale të Konferencës Perëndimore duke triumfuar 114-106. Përballë Lebronit ishin disa yje, duke nisur me Xhamal Marrejn që shënoi 28 pikë, kapi 8 topa në tabela e shërbeu 12 asistë, duke qenë thuajse në një nivel me Xhejmsin (plus 2 vjedhje topi). Nikola Jokiç sërish nuk e la vetëm ekipin në momentin e vështirë dhe ishte lideri, njeriu ku përqëndrohej loja. Serbi shënoi 22 pikë, kapi 10 topa në tabela, shërbeu 5 asistë dhe bëri 1 vjedhje topi e 1 bllokim gjuajtjeje, por ai pati në krah edhe Xherami Grantin me 26 pikë, ndërsa zëvendësuesi Monte Morris shënoi 14. Sfidë karakteri për Denverin që tregoi se, megjithë mungesën e përvojës, jo më kot eleminoi Klipersat në gjysmëfinalen e Konferencës.
Sfidanti.al