Me të vërtetë është atletja e momentit në Shqipëri, por edhe njëra nga më të mirat në Europë. Luiza Gega fitoi medaljen e artë në garën e 3 000 metrave me pengesa për femra në Lojrat Mesdhetare në Oran të Algjerisë duke thyer sërish rekordin kombëtar dhe atë mesdhetar. Gega triumfoi duke mos pasur konkurrencë e duke dhënë kohën 9’14”29. Ky është rekordi i ri i Lojrave që mbahej nga vetë ajo në 2018 në Taragonë (9’27”73), si dhe rekordi i ri kombëtar duke përmirësuar atë që vendosi pak ditë më parë në Holandë me kohën 9’15”48. Gega është tashmë kampione e dyfishtë e Mesdheut, nënkampione e Europës, nënkampione e Mesdheut në 2013 dhe nënkampione në Universiadën Verore të vitit 2013 në Kazan të Rusisë. Koha e saj e re, 9’14”29 është e 16-ta më e mirë në renditjen e shteteve të botës dhe e 8-ta më e mirë në renditjen e shteteve të Europës. Ky është një sukses i madh për vetë atleten dhe për trajnerin e saj Taulant Stërmasi, sidomos duke pasur parasysh vështirësitë e saj në stërvitje në krahasim me shumë vende të tjera.
Sfidanti.al