Loja “kukafshehti” me arbitrat, por të gjithë e dinë të vërtetën

Kur qeveria dhe opozita haheshin e griheshin për kanabisin, nuk kishte shqiptar që të mos e dinte të vërtetën. Mjaftonte të shkojë diku tek kushëriri në ndonjë fshat paksa të largët, dhe në rrugë të dilnin “trimat e beut” që të merrnin celularin dhe të bënin apelin deri në kthim. Kjo punë është edhe me arbitrat e futbollit.

Në Federatë dhe në shoqatën e gjyqtarëve të përbetohen se ata janë të pavarur, se zbatojnë rregulloren, por për dreq gabojnë ndonjëherë se janë njerëz. Ata që rrinë pranë futbollit, trajnerë, shefa klubesh, shoferë, kamarierë, kanë parë sesi vetë presidentët ulen me ta në ndonjë restorant në rrugën nacionale, duke u dhënë dhuratat e radhës. Për fat të keq, nuk ka “Fiks” apo “Stop” që të merret me ta, pasi emisionet janë pjesë e televizioneve me pronarë që janë miq me presidentët.

Ata që e vuajnë janë tifozët, por edhe trajnerët apo lojtarët që duan që futbolli të luhet ndershëm. Ata e shohin sesi një arbitër e prish apo “e rregullon” një ndeshje dhe e dinë se gabimet kryesore bëhen jo pa ndërgjegje, por me dashje. Në këtë mënyrë luhet futbolli dhe pastaj njerëzit thonë “kush po pyet për pasion e moral, mjaft të marrim rrogën”.

Sfidanti.al