Mançester Junajtid i ka marrë detyrat e tij për këtë sezon, veçse jo vetëm nga trajneri Zhoze Murinjo. Është Zllatan Ibrahimoviç që, publikisht, deklaron se çfarë duhet të synojnë “djajtë e kuq” deri sa të vijë fundi i muajit maj. Ylli 35-vjeçar, tani që e ka justifikuar plotësisht pritshmërinë ndaj tij, ka si objektiv të fitojë disa trofe me skuadrën e “Old Trafordit”. “Ne duhet të mos heqim dorë deri në fund, – tha ai pas suksesit ndaj Uatfordit, – duam që të ecim sa më përpara në Ligën e Europës, dhe kemi një ndeshje shumë interesante në shtëpi ndaj Sent Etienit”.
“Këtë sezon janë në dispozicion 5 trofe dhe ne kemi fituar një, Superkupën e Anglisë, – vazhdoi suedezo-boshnjaku, – natyrisht, Premier Ligën do ta fitojë vetëm një skuadër, por edhe nëse nuk do të jemi kampionë, mund të fitojmë trofe të tjerë, le të themi dy ose tre”. Mançester Junajtid është edhe në finalen e Kupës së Ligës, dhe mbetet në garë në Kupën e Anglisë.
Ibrahimoviç, ndërkaq, është bërë i pari lojtar i Junajtidit që nga koha e Sër Aleks Fergusonit, që shënon të paktën 20 gola në një sezon.
Sfidanti.al