Liverpuli me deklaratë favoriti për titull, triumfon 2-0 në fushën e Çelsit “milioner”!

Sezoni sapo ka filluar, por një fitore e tillë tregon shumë. Nëse je në gjendje të fitosh kaq lehtë në fushën e një skuadre që ka shpenzuar 250 milionë euro për t’u përforcuar, dhe që quhet kandidate për titullin, atëherë je në rrugë të mbarë. Edhe pse Çelsit i munguan disa nga yjet, sërish triumfi 2-0 i Liverpulit në Londër ishte një deklaratë e hapur për të mbrojtur kurorën e fituar vjet, një sinjal që duhet ta kenë mirë parasysh sfidanti numër 1, Mançester Siti. Në “Stemford Brixh” u luajt sikur skena ishte në “Anfild”, me kampionët që bënë lojën, që zotëruan fushën, dhe me blutë e trajnerit Frenk Lampard që u detyruan të luanin me kundërsulm.

Nuk kishte mënyrë tjetër për të përballuar më të fortët e momentit në Premier Ligë, ndërsa kartoni i kuq në sekondat e fundit të pjesës së parë i hoqi Çelsit thuajse çdo shpresë për t’u mbajtur deri në fund, të paktën me barazim. Të besuarit e trajnerit Jurgen Klop shfrytëzuan menjëherë mundësinë, me përvojën e një ekipi të pjekur, me dy gola që në nisje të pjesës së dytë. Autori ishte Sadio Mane, por mund të kishte qenë kushdo qoftë.

Merita ishte e gjitha e ish-kampionëve të Europës që mbajtën topin 61 për qind, patën 18 gjuajtje drejt portë ndaj 5 të Çelsit, 6 në kuadrat ndaj tre të kundërshtarit, ndërsa goditjet nga këndi ishin 11-1 për miqtë. Dakord, Lampardi ishte pa tre nga lojtarët më të mirë si Pulishiç, Zijeç e Tiago Silva, por nuk mund të thuhet se ishte pa alternativa. Thjesht, Liverpuli ishte më skuadër, ndërsa londinezët duket se kanë nevojë për disa muaj të paktën që të integrojnë të tillë si Verner e Haverc.

Në të kundërt, Tiago Alkantara që hyri në fushë pas pushimit u duk sikur kishte një jetë tek të kuqtë. Ish-ylli i Bajernit organizoi lojën me lehtësi, provoi edhe portën kundërshtare, ndonëse thuajse e njollosi debutimin e tij duke shkaktuar një penallti, por që ishte shumë e diskutueshme për t’u dhënë. Sidoqoftë, portieri Alison e bëri edhe ai veten protagonist, duke pritur penalltinë e Zhorzhinjos e duke i dhënë Tiagos mirëseardhjen më të bukur.

Sfidanti.al