Tifozët shqiptarë e kanë njohur me fanelën kuqezi. Arbnor Muçolli shënoi në duelin e Shpresave ndaj Kosovës U21 në eleminatoret e Europianit, duke e treguar veten se nga çfarë brumi ishte gatuar. Në moshën 21-vjeçare ai është gati të shkëlqejë në elitë, pasi e bëri këtë gjë më së miri në kategorinë e parë të Danimarkës, ku u shpall lojtari më i mirë i sezonit. Shqiptari i lindur në Danimarkë pati një vit të mrekullueshëm në radhët e ekipit të tij, Velje, aty ku luajnë edhe dy shqiptarët e tjerë Arlind Ajeti e Ylber Ramadani.
Muçolli shënoi 7 gola e shërbeu 6 asistë në 26 ndeshje, duke qenë në fushën e lojës gati 1 600 minuta. Aspak keq për një futbollist kaq të ri në moshë, që ndihmoi së tepërmi që Velje të shpallej kampione e Kategorisë së Parë daneze, e të ngjitej në Superligë. Aq më shumë që ai nuk është sulmues, por mesfushor. Lajmin për fitimin e çmimit individual të Muçollit e shpalli me kënaqësi vetë klubi i tij në rrjetet sociale, ndërsa tani pritet që ylli i Shqipërisë U21 ta tregojë veten edhe në elitën e futbollit danez, e po ashtu edhe me fanelën kuqezi.
Sfidanti.al