E mbylli sezonin me 25 rrjeta, më pak sesa rendimenti i tij i zakonshëm, por sërish në pozicionin e duhur për të qenë Këpuca e Artë e La Ligës. Lionel Mesi shënoi dy herë në portën e Alaveshit, në suksesin 5-0 të Barcelonës, fitore që nuk i dha ndonjë kënaqësi të madhe katalanasve, por ndihmoi kapitenin të forconte pozitat në krye të renditjes së shënuesve, me 4 gola më shumë se Karim Benzema i Realit.
Argjentinasi arriti të fitojë Këpucën e tij të 7-të të Artë në Spanjë, që është një rekord, pasi ai la pas legjendarin Telmo Zarra që ka 6, po aq sa kishte Mesi deri në fund të sezonit të kaluar. Po ashtu, ia doli të barazonte Alfredo Di Stefanon që ka fituar 4 herë radhazi Këpucën e Artë. Bëhet fjalë për një trofe (“Piçiçi”) shumë të famshëm, të cilin e kanë fituar legjenda të mëdha si Ferenc Pushkash, Amansio, Mario Kempes, Kini, Higo Sançez, Raul Gonzales, “Fenomeni” Ronaldo, Kristiano Ronaldo, përveç Mesit, Zarrës e Di Stefanos.
Mesi është gjithashtu shënuesi më i mirë i kampionatit spanjoll për të gjitha kohët, duke arritur deri tani në 444 gola, shënuar në vetëm 485 ndeshje, pra me një mesatare tepër të lartë, 0.92 gola për ndeshje. Ai lë pas Kristiano Ronaldon që ka 311 gola në 292 ndeshje, duke pasur mesatare më të mirë (1.07), por kjo sepse ka luajtur në moshë më optimale sesa argjentinasi. Pas tyre janë Telmo Zarra, ish-rekordmeni me 251, Hugo Sançez me 234, Raul me 228 dhe Di Stefano me 227.
Sfidanti.al