Padyshim që Siti ishte favorit ndaj Arsenalit, ndërsa Junajtid ishte më pak në avantazh, sipas parashikimeve, ndaj Çelsit, por sërish mendohej të fitonte. Në vend të derbit të parë të Mançesterit në finalen e Kupës së Anglisë, kemi një tjetër derbi të Londrës, ashtu si para 3 vjetësh kur fituan “topçinjtë” e Arsen Vengerit. Pasi Arsenali ia doli të shtunën, ishte radha e Çelsit të dielën, madje me një triumf bindës 3-1 ndaj një skuadër tepër në formë, si ajo e Ole Gunar Solskjerit.
Olivie Zhiru në fund të pjesës së parë, Mejzën Maunt me të nisur e dyta ishin autorë të golave, ndërsa Harri Megajer shkaktoi autogol në 74’. Një gol ngushëllimi nga Bruno Fernandes në 85’, pas penalltisë së fituar nga Marsial. Fajtor i madh për humbjen e “djajve të kuq” ishte portieri David De Gea, që gaboi rëndë në njërin nga golat (të dytin), por mund të kishte bërë më mirë edhe në të parin. Frenk Lampardi, trajneri i Bluve të Londrës, nuk është se kishte pasur sukses me Junajtidin, madje ishte mundur çdo herë këtë sezon (0-4, 0-2 në Premier), por fitoi duelin direkt për trofe. Po ashtu, Çelsi i tij është në zonën Champions, dhe këto quhen arritje të mira në vitin e parë si teknik në “Stemford Brixh”.
Sfidanti.al