Ky Inter nuk është ende për titull, por ndoshta me Zaniolon e Xhekon …!

Bepe Marota bën be e rrufe se nuk ka folur për drejtuesit e Romës për talentin e ri të tyre, dhe as nuk ka ndërmend të komentojë për sulmuesin boshnjak, por bota e tregtisë në futboll është si bota e bursës në financë, një lloj makiavelizmi. Je i detyruar të mos thuash të vërtetën, dhe ta fshehësh me gënjeshtër ose me heshtje deri atëherë kur duhet. Gjithsesi, Marota dhe Konte e dinë se Interi i tyre ka nevojë ende për talente dhe për rotacion për të përballuar një garë të vërtetë për titull me Juventusin.

Dakord, ishte ndeshje në fushën e Romës, por zikaltërve u ishte dhënë një mundësi për t’u afruar në vetëm 3 pikë largësi me Juven, qoftë edhe përkohësisht. Milanezët e provuan dhe De Vraj shënoi që në 15’, por Spinacola barazoi na fund të pjesës së parë dhe Mkitarian përmbysi shifrat në 57’. Gjithsesi, goli i Lukakut në 88’ ishte prova e karakterit se Interi nuk dëshiron të humbasë. Përsa i përket blerjeve, Marota thotë se “nuk kemi folur me drejtuesit e Romës për Zaniolon dhe nuk besoj se do të flasim”, si dhe që “nuk dua të flas tani për Xhekon, nuk është koha”.

Sfidanti.al