Ata që donin një film “thriller” për t’u kënaqur plotësisht në një mbrëmje futbolli, mund të jenë ndjerë të plotësuar. Ishin madje katër filma dramatikë në të njëjtin orar, ndaj edhe duhej të kishte 4 ekranë televizori për t’i ndjekur njëkohësisht. E tillë ishte Liga e Europës këtë të enjte. Përtej “thrillerit” në “Old Traford”, nuk munguan ata në Stamboll, Gelsenkirshen dhe në Genk.
Maksim Gonalon shënoi penalltinë vendimtare në stadiumin e Beshiktashit, duke treguar se skuadrat franceze këtë sezon duhen marrë shumë seriozisht. Pas eleminimit të Romës, Lioni kaloi një tjetër pengesë dhe tani është në gjysmëfinale. Turqit, që kishin humbur 1-2 në Francë, shënuan dy herë me anë të brazilianit Anderson Taliska (27’, 58’) duke kryesuar 1-0 dhe 2-1, ndërsa Lakazetë barazoi përkohësisht për miqtë. Nuk mjaftoi shtesa, por u deshën penalltitë që i dhanë të drejtë Lionit me shifrat 7-6.
Po kaq tronditëse edhe përballja në Gelsenkirshen. Ajaksi shkoi me një 2-0 të fortë në xhep, por gjermanët e Shalkes nuk hoqën dorë deri në fund. Leon Gorecka në 53’ dhe Guido Burgstaler në 56’ e dërguan ndeshjen në shtesë, ku vendasit patën epërsinë numerike pasi Veltman doli me të kuqe në 80’. Në minutën e 101-të, Daniel Kaliguri u duk se siguroi përmbysjen me golin e tretë, por holandezët i ruajtën surprizat për në fund. Nik Virgever (110’) dhe Amin Junes (120’) i dhanë kualifikimin Ajaksit.
Selta e Vigos, ndërkaq, mbrojti nderin e Spanjës në Ligën e Europës. Me Realin dhe Atletikon në Champions, La Liga mbetet kampionati më i përfaqësuar në kontinent. Nuk ishte aspak e lehtë për skuadrën spanjolle në fushën e Genkut në Belgjikë, ndonëse ajo u mbajt mirë. Pas fitores 3-2 në shtëpi, kaloi në epërsi në 63’ me anë të Sistos dhe u duk se gjithçka mori fund. Po, veçse jo aq lehtë. Katër minuta më vonë, Trosar barazoi dhe Genku ishte vetëm një gol larg kualifikimit. Nuk ia doli ta shënonte, pasi Selta u mbrojt mirë.
Sfidanti.al