Vështirë të kishte një version më dramatik sesa ai I çerekfinaleve të dyta të Ligës së Europës. Gara e dytë më e rëndësishme e klubeve në kontinent iu afrua në çdo aspect Championsit, pas tre prej gjysmëfinalistëve deshën të paktën kohën shtesë, ndërsa njëri shkoi deri tek penalltitë për të fituar “biletën”. Favoritja e kompeticionit, Mançester Junajtid, më në fund siguroi kualifikimin, edhe pse me kosto, ndërsa Zhoze Murinjo e ka ende shansin për të qenë në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm, pa pasur nevojë për Premier Ligën.
Junajtid mundi 2-1 Anderlehtin në “Old Traford”, pas 120 minutash lojë, në një përballje që as nuk I ngjau aspak asaj të vitit të largët 1956 kur anglezët I mundën belgët 10-0, dhe kur media ishullore tallej për “skuadrën e parkut”, sepse Anderlehti në atë kohë stërvitej në një park publik pranë hotelit ku qendronte.
Ishte Markus Rashford, edhe një herë, heroi I “Old Trafordit” duke shënuar në minutën e 107-të, pasi Mkitarian kishte kaluar Junajtidin në epërsi në 10’, dhe Hani kishte barazuar në 32’. Gjithsesi, trajneri portugez mori një goditje të rëndë kur Zllatan Ibrahimoviç doli nga loja I dëmtuar pranë fundit të 90-minutëshit, ashtu siç u dëmtua edhe mbrojtësi argjentinas, Markos Roho. Tashmë “djajtë e kuq” janë vetëm 3 ndeshje larg Championsit, pavarësisht nga kampionati anglez.
Sfidanti.al