Kur nuk fiton trofe në Madrid, vështirë se mund të vazhdosh në stol. Ky është një rregull i presidentëve të Realit, që e ka të shkruar në mendje edhe bosi i sotëm Florentino Perez. Edhe pse ai e ka dashur dhe e ka vlerësuar pa fund Zinedin Zidanin, duket se qendrimi i tij e ka detyruar trajnerin që të marrë vendimin për t’u larguar. “Për ty fjala “e pamundur” nuk ekziston”, tha Perezi në prezantimin e parë të Zizusë në 2016, dhe francezi ia justifikoi këtë deklaratë bombastike. Ai fitoi 3 Champions radhazi nga 2016 deri në 2018, plus një titull në La Liga, para sesa të largohej herën e parë.
U kthye në 11 mars 2019 duke mos mundur të ndryshonte fatin e klubit në atë sezon, por vitin tjetër në 2020 fitoi titullin e dytë në La Liga. Ky edicion doli i vështirë, titulli u humb javën e fundit ndaj Atletikos, në Championsi erdhi eleminimi në gjysmëfinale me Çelsin, ndërsa pati dështim në Superkupën e Spanjës dhe në Kupën e Mbretit. Kur kjo ndodhi në 2013 u largua Zhoze Murinjo, kur u përsërit në 2015 ishte radha e Karlo Ançelotit, ndërsa ndodhi edhe në 2019, por Zidani sapo ishte kthyer në atë kohë. Nuk dihet se kush mund të jetë pasardhësi i Zidanit, ndoshta Poçetino, ndërsa pak besohet Antonio Konte, kurse Zizuja me shumë gjasë mund të marrë drejtimin e Juventusit.
Sfidanti.al