Robert Levandovski është një emër që do të gdhendet me “germa ari” në kujtesën e tifozëve të Bajernit të Mynihut. Sulmuesi polak është aq i domosdoshëm për bavarezët, sa mund të jetë oksigjeni për njeriun, dhe këtë e tregoi edhe me dygolëshin e realizuar dje, me të cilin i dha fitoren skuadrës së Karlo Ançelotit në një përballje të vështirë në fushën e Verderit. Duhej të vinte minuta e 72-të, pra më pak se 20 minuta nga fundi, që Levandovski të kalonte miqtë në epërsi, dhe për 3 minuta realizoi edhe golin e dytë.
Nëse Bajerni do të fitojë Championsin, vetëm një yll si Levandovski mund t’ia japë, kuptohet me mbështetjen e një mesfushe të fortë. Me 80 gola në 98 ndeshje për Bajernin, plus 20 asiste, “Leva” po ecën thuajse me ritmin e Mesit apo të Ronaldos, duke qenë një nga sulmuesit më të mirë të të gjitha kohëve. Në total, në Bundesligë ai ka shënuar 154 gola në 229 ndeshje, pasi tek Dortmundi kishte ritëm më të ulët, ndërsa do të duhet të bëjë shumë për të mbërritur Gerd Mylerin, rekordmenin historik, që ka 365 gola, duke qenë më i miri në historinë e kampionatit gjerman.
Sfidanti.al