Levandovski: Edhe 4 vjet në nivele të larta, dua rekordet!

Është 33 vjeç, por ashtu si Ronaldo apo Mesi (si dhe Ibra) nuk e mendon fundin. Robert Levandovski është jo vetëm një nga sulmuesit dhe një nga lojtarët më të mirë të botës, por edhe një nga futbollistët me përgatitjen fizike dhe atletike më optimale. Sulmuesi i Bajernit të Mynihut deklaroi se ka ndërmend të luajë edhe 4 vjet të tjera në nivelet më të larta, i frymëzuar edhe nga 2 golat e realizuar në “Kamp Nou” ndaj Barcelonës.

“Statistikat e mia sot janë më të mira se kurrë, – thotë polaku, – pavarësisht moshës, kjo tregon se unë jam në formën më të mirë të jetës. Unë jam në formën e duhur fizike dhe po ashtu mendore. Mund të luajë për shumë vite, jam i sigurt për 4 vjet në nivele të larta”. Levandovski ka 75 gola në Champions, duke synuar Mesin (120) dhe rekordmenin Ronaldo (135), ndërsa ka luajtur më pak ndeshje se ata. Ai po i afrohet 500 golave për klubet dhe 600 golave gjithsej në karrierë, ndërsa vitin që vjen mund të largohet nga Bajerni.

Sfidanti.al