“Skuadra merr zemër kur fiton, edhe kur fitoret janë “të pista”! Këto ishin fjalët tepër të sinqerta të Marko Rojsit, ndërsa Gjermania triumfoi 2-1 në Hofenhajm, në miqësoren ndaj Perusë. Advinkula kaloi miqtë në epërsi në 22’, kur Shulc gaboi, dhe po ashtu Ter Shtegen nuk u duk shumë i saktë. Julian Brant barazoi shpejt. U desh goli i Niko Shulcit 25-vjeçar në minutën e 85-të që Gjermania të arrinte një fitore të vuajtur dhe aspak të bukur.
Gazeta “Bild” nxjerr disa përfundime. “Së pari, – shkruan ajo, – ne humbim shumë raste (Rojs, Ginter, Gyndogan) dhe kjo do të na kushtojë. Së dyti, jemi sërish dobët në mbrojtje. Katërshja Ginter-Zyle-Boateng-Shulc nuk duket e harmonizuar, dhe ashtu si në Botëror, në sulmin e parë serioz të rivalit, pësojmë gol”.
“Së treti, – vazhdon gazeta, – Julian Brant ishte lojtari më i mirë që kemi, dhe Jogit do t’i duhet në të ardhmen. Në fund, morëm një fitore me fat, por Joakim Lëvit do t’i duhet ende shumë punë që Gjermania të arrijë në nivelet e mëparshme”.
Sfidanti.al